fbpx
European Western Balkans
Uncategorized

Drejt marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë

Hashim Thaçi, Federica Mogherini and Aleksandar Vučić; Photo: European Commission

Kosova nuk është qeverisur nga Serbia për gati njëzet vjet, megjithatë statusi i sovranitetit të saj, si dhe territori dhe kufijtë e të dy vendeve vazhdojnë të kontestohen reciprokisht por edhe ndërkombëtarisht.

Gjatë muajve të fundit, mungesa e progresit në kapërcimin e problemeve kryesore në mes të Serbisë dhe Kosovës ka rezultuar në një raund të ri diskutimesh rreth normalizimit të marrëdhënieve që solli drejt asaj që deri sivjet ishte temë tabu – idenë e shkëmbimit të territoreve. Propozimi për korrigjim të kufijve ishte i suksesshëm për sa i përket kapërcimit të bllokadës politike, por vetëm për të shpënë, deri më tani, drejt një përshkallëzimi të ri të tensioneve në mes të dy vendeve. Përveç të qenit shkurtpamës dhe i vjetëruar, bisedimet për kufijtë duket se kanë pasur për synim, në rend të parë, shënimin e pikëve të brendshme politike. Për më tepër, mundësia e ricaktimit të kufijve mund të ketë pasoja negative për stabilitetin e rajonit, meqë kërkesa të ngjashme mund të vijnë nga Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia apo Mali i Zi.

E vetmja rrugë përpara për Serbinë dhe Kosovën, e cila do të siguronte stabilitet më të gjerë edhe për rajonin, është përkushtimi i palëve në zbatimin e plotë dhe të pakusht të vlerave të përbashkëta politike evropiane në dobi të të gjithë qytetarëve. Si pasojë, në një perspektivë afatgjate – në rast se ky propozim pranohet – Serbia dhe Kosova në fund do të gjenden së bashku brenda BE-së, duke i gëzuar përfitimet e “katër lirive” të përcaktuara me Traktatin e Romës dhe të zgjeruara nën rregullat e “tregut të brendshëm”, prezantuar me Aktin Unik Evropian – përkatësisht liria e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe personave brenda Unionit. Për më shumë, të dy vendet do të obligoheshin t’i respektojnë vlerat themelore evropiane, që do të diskutohen më vonë në këtë tekst. Pasi të bëhen pjesë e zonës Shengen, ato do të përfitojnë nga largimi i barrierave fizike duke eliminuar kontrollat e kufijve të jashtëm.

E gjithë kjo çon në një përfundim, se bisedimet aktuale për kufijtë janë thjeshtë një mjegulli në dështimin e trajtimit të çështjes kryesore: si të përmirësohet mirëqenia e qytetarëve të Serbisë dhe të Kosovës dhe t’i afrojë ato me Bashkimin Evropian, i cili do të garantojë paqe, tolerancë, mosdiskriminim, të drejta për pakicat dhe përfshirje sociale.

Çfarë është aktualisht në tryezë?

Që nga përfundimi i konfliktit të armatosur në vitin 1999, marrëdhëniet Kosovë-Serbi kanë kaluar në disa momente historike, ku nga më të rëndësishmet mund të veçohen Plani i Martti Ahtisaarit në vitin 2008 dhe marrëveshja e Brukselit më 2013.

Marrëveshja e Brukselit thotë qartë se asnjëra palë nuk mund ta bllokojë hyrjen e palës tjetër në BE, gjë kjo që do të duhej t’i shlyente shqetësimet për këtë çështje si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Ky përkushtim është fuqizuar me Deklaratat e samitit të Vjenës me 2015 dhe samitit të Londrës më 2018, si dhe në kuadër të kornizës së Procesit të Berlinit – që të gjitha këto të nënshkruara nga përfaqësuesit e të dyja vendeve. Derisa Marrëveshja e Brukselit është mjaft teknike në esencë, plani i Ahtisaarit e sheh të ardhmen e Kosovës si një shoqëri multietnike, e qeverisur në mënyrë demokratike dhe në respektim të plotë të sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Megjithatë, asnjëri prej këtyre dy dokumenteve – të paktën deri më sot – nuk janë zbatuar në praktikë.

Për momentin, është vështirë të arrihet një konsensus në Kosovë për t’i dhënë pakicës serbe më shumë se sa parashikon plani i Ahtisaarit, teksa në të njëjtën kohë, është më se e pamundshme që shumica e serbëve ta mbështesin njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Bllokada e stërzgjatur në normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, e shkaktuar nga faktet e lartpërmendura, na çon deri te konstatimi se po rritet nevoja për rishikimin e qasjes aktuale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Marrëveshja dhe rruga përpara

Si pikënisje, qasja e re duhet të sigurojë integrimin dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve ekzistuese formale dhe rekomandime me qëllim të shmangies së mundësisë së duplifikimit të asaj që tanimë është arritur. Me pak fjalë, në këtë listë përfshihen, por nuk kufizohen vetëm në to, Marrëveshja e Brukselit, marrëveshja e 2015-s për asociacionin dhe përkushtimi për ruajtjen e vlerave demokratike të planit të Ahtisaarit.

Qasja e re nis prej premisës se zgjidhja e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi është një proces dakordimi rreth synimit të përbashkët, i cili do të duhej ta siguronte një bazë të gjerë për ndërtimin e marrëdhënieve socio-ekonomike dhe bashkëpunimin politik në rajon. Të gjitha palët, përfshirë BE-në, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet ta pranojnë mundësinë e prapakthimit në disa faza të procesit, varësisht prej ndryshimit të rrethanave në kontekstin lokal.

Më poshtë janë fazat kryesore që do të siguronin që dialogu dhe marrëveshja të jenë të suksesshëm.

Ashtu siç sugjerohet në Komunikatën e BE-së 2018 për “Një perspektivë të besueshme zgjerimi dhe angazhimi të BE-së me Ballkanin Perëndimor”, shtegu drejt ecjes përpara duhet të përcaktohet me një marrëveshje ligjërisht detyruese që i ka të përcaktuara qartë detyrimet për secilën palë. Marrëveshja duhet të jetë në formë të shkruar dhe gjithëpërfshirëse në formulim, në formë të një traktati nën të cilin, nëse palët dështojnë t’u përmbahen obligimeve, do të mbahen përgjegjëse. Duhet të përcaktohet po ashtu një afat kohor për zbatim.

Mekanizmat për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes së re duhet të kenë karakter formal. Monitorimi duhet të zgjerohet përtej raporteve aktuale të përparimit të vendeve drejt anëtarësimit në BE; ajo duhet të hapë rrugën për krijimin e një mekanizmi të përhershëm monitorues nga BE-ja.

Gjithëpërfshirja dhe transparenca e dialogut. Është me rëndësi që të sigurohet që opinionet dhe qëndrimet e segmenteve të ndryshme të shoqërisë, përfshirë organizatat e shoqërisë civile dhe partitë opozitare, të dëgjohen dhe të merren parasysh kur marrëveshja të hartohet. E ardhmja e dy vendeve nuk duhet të vendoset brenda një rrethi të ngushtë të elitave (aktuale) politike, të brendshme apo ndërkombëtare, ashtu që të shmanget mundësia e një bllokade të ngjashme me atë me të cilën përballet Bosnja e Hercegovina në ditët e sotme.  Procesi i konsultimit dhe përfshirja e qytetarëve, me qëllim që të ndihmohet dialogu, duhet të trefishohen. Së pari, ekziston nevoja për dialog të brendshëm si në Serbi ashtu edhe në Kosovë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka iniciuar një dialog të brendshëm në Serbi, ndonëse qasja e tij ende kritikohet përbrenda dhe kryesisht ka mangësi në arritjen e rezultateve. Megjithatë, kjo qasje duhet të pranohet si një ide e mirë pasi që e mundëson shprehjen e mendimeve kundërshtuese. Teksa dialogu ndëretnik në Kosovë është i rëndësishëm, i tillë është edhe dialogu në mes të forumeve dhe individëve të shqiptarëve të Kosovës. Së dyti, procesi jopolitik i nxitur ndërmjet segmenteve të ndryshme të shoqërisë duhet të fuqizohet dhe të mbështetet nga BE-ja në mënyrë që të bëhet më përfshirës, mundësisht si një mënyrë për shkëmbimin e mendimeve kundërshtuese dhe e shuarjes së retorikës nacionaliste. Së treti, marrëveshja duhet ta parasheh krijimin e grupeve kombëtare të veprimit për lehtësimin e dialogut që përfshin përfaqësuesit e shoqërisë civile, ekspertët ligjorë dhe studiues të BE-së si dhe akterët politikë, përgjegjësi e të cilëve do të ishte avancimi i zbatimit të dialogut nëpërmjet kontakteve direkte të ndërsjella, por edhe nëpërmjet komunikimit të përfitimeve potenciale të dialogut për shoqërinë më të gjerë.

Marrëveshja e re duhet të bazohej në respektimin e vlerave themelore dhe objektivave evropiane. Vlerat themelore të BE-së, siç definohen në Traktatin e Lisbonës, përfshijnë respektimin e dinjitetit njerëzor dhe të të drejtave të njeriut, lirive, demokracisë, barazisë dhe sundimit të ligjit. Sipas dokumentit, BE-ja duhet t’i mbrojë këto vlera dhe të promovojë paqe si dhe mirëqenie për qytetarët në mënyrë që askush të mos ndihet i diskriminuar; në anën tjetër, përfaqësuesit e popullit dhe qeverive duhet t’i respektojnë të tjerët dhe të jenë tolerantë. Të gjithë duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë. Të drejtat e minoriteteve duhet të respektohen. Asnjë vend që nuk u bindet këtyre rregullave nuk mund t’i bashkohet Bashkimit Evropian. Me pranimin dhe zbatimin e këtyre vlerave dhe synimeve të lartpërmendura, jo vetëm se Kosova dhe Serbia sigurojnë një kornizë të qëndrueshme për mirëqenien e qytetarëve të tyre, pavarësisht lokacionit të tyre mes dy shteteve, por edhe i afrojnë vendet e tyre drejt synimit të anëtarësimit në BE.

Si Serbia ashtu edhe Kosova duhet ta shtrojnë rrugën e tyre drejt BE-së. Derisa Kosova deri më tani ka nënshkruar vetëm Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit (MSA) me BE-në më 2016 dhe që atëherë është bllokuar në përpjekjet e saj për integrim në BE për shkak të pesë shteteve anëtare të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, Serbia tanimë është duke e negociuar anëtarësimin e saj në BE me 14 kapituj të hapur dhe me dy të mehërshëm tanimë të mbyllur. Në ndërkohë, të dyja vendet kanë pjesën e tyre të fajit për problemet politike, ekonomike dhe administrative që aktualisht po e frenojnë anëtarësimin e tyre në BE. Megjithatë, edhe nëse supozohet që këto probleme janë mënjanuar, problemi i mosmarrëveshjeve të pazgjidhura bilaterale kërcënon të shndërrohet në një pengesë për përmbylljen me sukses të bisedimeve të anëtarësimit. Në këtë aspekt, është me rëndësi të kujtohet se dy vendet janë nënshkruese të Deklaratës së Samitit të Vjenës më 2015 dhe të Deklaratës së samitit të Londrës më 2018, përfshirë aneksin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve bilaterale në Ballkanin Perëndimor, i cili shprehimisht thekson se një vend që i bashkohet BE-së i pari nuk mund ta pengojë anëtarësimin në BE të fqinjëve të vetë.  Ky zotim i bërë nga gjashtë ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor duhet të monitorohet vazhdimisht nga BE-ja. Po kaq me rëndësi është që të bëhen përpjekje shtesë për t’i përfshirë qytetarët e rajonit në angazhimet ndërkombëtare të marra nga qeveritë.

Së fundmi, për sa i përket asaj pesëshes së vendeve anëtare të BE-së – Qipros, Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Spanjës – që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe po e bllokojnë avancimin e saj drejt BE-së, Bashkimi Evropian duhet të angazhohet në zgjidhjen e këtij problemi, duke i respektuar plotësisht parimet e gjithëpërfshirjes, si pjesë e përpjekjeve të premtuara për normalizim. Përpos kësaj, Komisioni duhet t’i fillojë menjëherë të gjitha angazhimet lidhur me integrimin e Kosovës, të cilat nuk kërkojnë konsensus të shteteve anëtare – përfshirë përgatitjen për procesin e shqyrtimit dhe t’i kërkojë Qeverisë së Kosovës ta përgatis një Plan Veprimi për kapitujt e negociatave të anëtarësimit. Në fund, siç ka bërë të ditur ministri i Jashtëm rumun, Teodor Melescanu, gjatë një takimi joformal të shteteve anëtare të BE dhe ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor në gusht të këtij viti në Vjenë, një marrëveshje ligjërisht detyruese mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte ndihmesë që këto shtete anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta marrin një vendim përfundimtar për këtë çështje.

Ballafiqimi me të kaluarën është parakusht për normalizim. Bashkëjetesa, në vete, edhe nëse është paqësore, nuk është e mjaftueshme për pajtim dhe për avancim të marrëdhënieve të tensionuara shoqërore. Mundësimi i ndërveprimit, që përfshinë adresimin e përplasjeve të të kaluarës dhe të tanishmes, do të jetë i suksesshëm vetëm nëse është i orientuar kah e ardhmja. Në këtë aspekt është me rëndësi të fillohet me diskutimin e rolit të atyre elitave politike që propaganduan politika nacionaliste, të cilat nxitën dhunë në rajon gjatë viteve 90’ dhe më vonë. Me të njëjtat elita që ende janë kryesisht në pushtet në të dy vendet, procesi i ballafiqimit me të kaluarën është i paqartë dhe deri më tani ka qenë e pamundur që të trajtohen efektivisht shkaktarët rrënjësor të tij. Marrëveshja e re prandaj duhet të parashikojë krijimin e mekanizmave specifikë bilateral për trajtimin e të kaluarës problematike të rajonit, siç janë komisionet për hetimin e dhunës,  sigurimin e drejtësisë për viktimat; zbardhja e rasteve të personave të pagjetur; angazhimi për krijimin e një mirëkuptimi të ndërsjellë për konfliktet e të shkuarës dhe të tanishmes përmes komisioneve të përbashkëta historike; dakordimi i kurrikulave shkollore që do t’i harmonizonin tekstet shkollore të lëndës së historisë. Në vitin 2017, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e inicioi krijimin e Komisionit të Vërtetës dhe Pajtimit në Kosovë, i cili mund të përdoret si bazë për ndërtimin e të tjerave. Këto përpjekje bilaterale duhet të gëzojnë mbështetjen financiare dhe logjistike ndërkombëtare.  Së fundmi, marrëveshja duhet të gjejë një zgjidhje substanciale për ata që janë detyruar të zhvendosen dhe që kanë jetuar në akomodime të përkohshme gjatë 17 vjetëve të fundit. Kjo zgjidhje urgjente për problemin e të zhvendosurve nuk duhet të varet nga proceset aktuale politike dhe duhet të gëzojë mbështetjen më të gjerë të komunitetit ndërkombëtar.

Duhet të emërohet një përfaqësues special i BE-së, i cili do të vepronte si raportues. Roli i tij apo i saj në dialogun Kosovë-Serbi do të ishte ai i një ndërmjetësuesi. Kjo pozitë do të ndihmonte po ashtu në krijimin e njëfarë ure lidhëse ndërmjet Komisionit Evropian të tanishëm dhe atij të ardhshëm si dhe të siguronte tranzicion të lehtë të procesit, në prag të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm për përfaqësuesit e rinj të institucioneve të BE-së. Kjo gjë do të çonte peshë edhe për Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), duke pasur parasysh se Ballkani nuk është fokusi i vetëm i tiji për sa i përket zgjerimit. Emisari i përcaktuar i BE-së duhet të gëzojë mbështetje ndërkombëtare, sidomos nga SHBA-ja dhe Rusia.

Çelësi për zbatimin e suksesshëm të marrëveshjes së re, ligjërisht detyruese, në aspektin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi është te përqendrimi në bashkëpunim, e jo në ndarje. Ky bashkëpunim duhet të përqendrohet nëpërmjet angazhimit të sinqertë në promovimin aktiv të vlerave të përbashkëta evropiane, në dobi të qytetarëve serbë dhe kosovarë, duke u përballur me të kaluarën përmes dialogut konstruktiv dhe të ndërsjellë, si dhe me përfshirjen e një spektri sa më të gjerë të akterëve në rishqyrtimin e të ardhmes së rajonit.

Marko Kmezic, Marika Djolai, Shpend Emini, Florian Bieber, Zoran Necev, Igor Bandovic dhe Srdjan Majstorovic

Shkrimi është bashkëautorësi e anëtarëve të “Grupit Këshillues për Ballkanin në Evropë/Balkans in Europe Policy Advisory Group” (BiEPAG). BiEPAG është një grup i analistëve politik, ekspertëve dhe hulumtuesve, i krijuar si një iniciativë e përbashkët e Fondit Evropian për Ballkan dhe i Qendrës së Studimeve për Evropën Juglindore i Universitetit të Grazit në Austri.

Related posts

Picula MEP become Chairman of Delegation for Relations with Bosnia and Herzegovina and Kosovo

EWB Archives

Commissioner Hahn visits Bosnia and Herzegovina on 8 May

EWB Archives

Vučić, Scaparrotti: Cooperation with respect of neutrality

EWB