OHËR – Çështjet e sigurisë, politikat globale të Bashkimit Evropian, si dhe zgjerimi, janë disa prej fushave në të cilat Ballkani Perëndimor mund të kontribuojë në Konferencën për të ardhmen e Evropës, kanë theksuar pjesëmarrësit në panelin e sotshëm të Forumit të Prespës për Dialog në Maqedoninë e Veriut. Përfshirja e qytetarëve në këtë Konferencë si tërësi ishte përshkruar si e pamjaftueshme nga disa pjesëmarrës, ndërsa të tjerët kanë përkujtuar se procesi ishte i ri dhe mund të mbindërtohej në të ardhmen.
Paneli me titull “Çfarë mund të bëjmë ne për BE? Ballkani Perëndimor kontribuon në Konferencën për të ardhmen e Evropës – zërat nga rajoni”, ishte i pari në një varg të kontributeve publike nga rajoni në Konferencën për të ardhmen e Evropës, që kishte filluar në maj të këtij viti nga institucionet e BE.
Deputeti i kuvendit kombëtar francez Zhak Mair ka përshkruar fillimin e Konferencës si një rrezik që ja vlen të ndërmerret.
“Sigurisht, në këtë aspekt, ka gjithashtu pritshmëri nga Ballkani Perëndimor. Ne e kuptojmë kërkesën për dukshmëri dhe pjesëmarrje, ne presim prej tyre që të kontribuojnë dhe të vijnë me zgjidhje për problemet në lidhje me zgjerimin”, ka thënë ai.
Pjesëmarrësit tjerë kanë përmendur edhe tema tjera të kontributeve potenciale nga Ballkani Perëndimor.
“Ka shumë njohuri dhe ekspertizë në rajon, por edhe shumë njerëz krijues që kanë përvojë në temat e Konferencës, siç është migrimi”, ka thënë Aleksandara Tomaniq, Drejtore ekzekutive në Fondin Evropian për Ballkanin. Ajo ka theksuar se qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës kanë përjetuar rrjedhat e migrimit duke kaluar nëpër shtetin e tyre dhe se informatat e tyre do të jenë të vlefshme.
Tomaniq gjithashtu ka shtruar pyetjen se si Konferenca mund të ketë temën “BE si aktor global” pa përfshirë një pjesë të kontinetit. Ajo ka shtuar se, për shkak të nivelit të lartë të ndotjes të ajrit në ballkan që ndjehet gjithashtu nga shtetet fqinje të BE, çdo diskutim mbi mjedisin jetësor në BE nuk është i plotë pa përfshirjen edhe të rajonit.
Donika Emini, Drejtore ekzekutive e platformës CiviKos nga Kosova dhe anëtare e BiEPAG, është përqëndruar në sigurinë si kontribut potencial i Ballkanit Perëndimor.
“Ballkani Perëndimor mund të kontribuojë në diskutimin e çështjeve të sigurisë, sepse rajoni për një kohë të shkurtër nga konsumator është bërë ofrues i sigurisë”, ka thënë Emini, duke shtuar se shumë shtete mësojnë nga Kosova se si të luftojnë terrorizmin. Një perspektivë tjetër ku Ballkani Perëndimor mund të kontribuojë natyrshëm është edhe zgjerimi. Sipas Eminit, rajoni duhet të jetë një “fitore e lehtë” për BE, duke treguar se Bashkimi Europian mund të jetë i suksesshëm, me ndihmën e kontributeve nga rajoni.
Jovana Maroviq, Drejtore ekzekutive e Rrjetit Politikon dhe anëtare e BiEPAG, është pajtuar se zgjerimi është një fushë ku BP mund të kontribuojë në debat, për shembull duke propozuar reforma në proces siç është inkuadrimi i votimit cilësor të shumicës si hap paraprak në proces, si dhe mënyrat në të cilat rajoni mund të integrohet gradualisht me BE.
“Përfshirja e qytetarëve dhe politikanëve të BP në Konferencën për të ardhmen e Evropës duhet të kuptohet si një integrim gradual, që do të ndihmonte që të kontribuohet në sundimin e ligjit dhe demokracisë në rajon”, ka thënë ajo.
Roderik Parks, Udhëheqës i Qendrës Alfred fon Openhajm në Këshillin gjerman për marrëdhënie të jashtme është përqëndruar në rolin e BE në botë, duke thënë se proceset si kjo Konferencë janë një mundësi e mire për t’iu kundërvënë perspektivës negative të rolit gjeopolitik të BE.
“Mendoj se argument duhet të jetë se BE qëndron mirë në gjeopolitikë, dhe prandaj duhet të përfshihet në rajon, jo për shkak të konkurrencës me Rusinë apo Kinën”, ka thënë Parks.
Përfshirja e qytetarëve mbetet ende një sfidë, përqëndroheni te të rinjtë
Shumë pjesëmarrës, duke përfshirë Aleksandra Tomaniq dhe Alba Çela, Drejtore ekzekutive në Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, ka theksuar se përfshirja dhe vetëdija e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor është ende në nivel të ulët. Deputetja në Parlamentin Europian Tanja Fajon ka theksuar se kishte raste të tilla edhe me shtetet e BE.
“Nuk është më tërheqëse që të flitet për temat evropiane, sepse elitat politike shpesh fajësojnë Brukselin për gjërat që shkojnë në drejtim të gabuar. Gjeneratat tona të reja nuk e kanë perspektivën historike të arsyeve se pse ekziston BE – ne na duhet një narrativ i ri për to”, ka thënë Fajon.
Ajo ka shtuar se Konferenca për të ardhmen e Evropës duhet të jetë arsye për optimizëm.
“Por nëse nuk e sjellim diskutimin para qytetarëve, ne do të dështojmë” ka thënë Fajon.
Profesorja në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë Nexhma Xhananoviq gjithashtu ka theksuar rëndësinë e përfshirjes të të rinjve, të cilët, sipas mendimit të saj do të jenë të interesuar që të kontribuojnë në diskutim, me të rinjtë nga Ballkani Perëndimor duke qënë edhe më të përqëndruar në vlerat e BE sesa pjesa tjetër e kontinentit, sepse bashkëmoshatarët e tyre kishin privilegjin që t’i kenë ato vlera si të mirëqëna.
Angelina Eikhorst, Drejtore udhëheqëse për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm, ka theksuar mangësitë potenciale në proces, duke theksuar se kjo është diçka e re, një lloj i eksperimentit, duke përfshirë Komisionin Evropian, Parlamentin Evropian, dhe Këshillin.